75 Mall Live Search
11:17 / E Enjte, 11 Shkurt 2021 / OSH

Rikthehen reduktimet e ujit pas reshjeve të shiut, ky është orari

Si pasojë e reshjeve të shiut dhe vërshimeve në disa zona të vendit , është rritur sërish turbullira në kanalin e Ibrit, që bën të pamundur trajtimin e ujit të pijshëm konform standardeve dhe teknologjisë që ka KRU “Prishtina”.

“Me qëllim që të ruajmë cilësinë e ujit të pijshëm, t’i ruajmë pajisjet teknologjike, jemi të detyruar që sërish të zvogëlojmë në minimum prodhimin e ujit nga Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj”, thuhet në komunikatën e KRU “Prishtina”.

Më pas theksohet se në mënyrë që të bëjnë shpërndarje të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët dhe që fokusi i mosfurnizimit me ujë të mos jenë vetëm zonat që furnizohen nga ITUP Shkabaj, ky është orari i ri i reduktimeve.

Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: “Bregu i Diellit”, banesat e bardha, “Mati 1”, Zllatari, Kolovica, “Sofalia”, “Taslixhja”, “Ulpiana”, “Kodra e Trimave”, “Arbëria”, lagjja “Spitali”, lagjja “Universiteti”, konviktet, Hajvalia, Graçanica dhe Veterniku.

Ndërsa duke filluar nga ora 12:00-16:00, reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, “Dardania”, “Lakrishtja”, lagjja “Pejton” dhe “Kalabria”.

Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.

Pra, kjo po realizohet për t’u mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit!