Policia me aksion në veri – konfiskon para që dyshohet se janë fituar nga shitja e drogës

Më 11.02.2021 hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës nga njësia rajonale e Mitrovicës- veri, pas marrjes së informatave paraprake relevante dhe bashkërendimit me autoritetet e drejtësisë, kanë realizuar një operacion bastisje dhe kontrolli në dy lokacione në Mitrovicë-veri.

Gjatë realizimit të operacionit policor në dy lokacione të ndryshme janë sekuestruar para në valuta të ndryshme në (€uro, dollar-$, franga, kruna, dinarë), sprej si edhe një sasi e substancave të dyshuara narkotike (126 gr. marihuanë) e dedikuar për shitje, etj.

Paratë e sekuestruara dyshohet se janë të fituara nga shitja e substancave narkotike, të cilat gjendeshin të vendosura nëpër zarfe:

€uro: 81.374
Dinar: 6.392.160
Dollar USA 200
Frangaa zvicerane: 100
Kruna suedeze: 300
Gjithashtu janë sekuestruar edhe tri fletore ku dyshohet se i dyshuari ka mbajtur shënime në lidhje me shitjen e substancave narkotike.

Vlera e parave të konfiskuara tejkalon 135 mijë e 800 euro (mbi 135.800.00 €), përderisa i dyshuari me inicialet (N. P.) është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
