Konspiracioni rus: CIA komplotoi për vrasjen e Karamanlis
Një dokumentar i prodhuar nga një televizion rus “Vesti” hedh hipotezat se shërbimi sekret amerikan ka patur synime që të likuidojë fizikisht ish-kryeministrin grek, Kostas Karamanlis.
Si arsye për këtë komplot hipotetik jepet politika e Karamanlis ndaj Rusisë dhe hapja ndaj saj në vitin 2009, por edhe gjeopolitika e energjisë në Ballkan.
Sipas këtij dokumentari që jepet i titruar edhe në anglisht, shërbimet ruse kishin interceptuar një bisedë mes agjentëve të CIA-s që flisnin për rrëzimin e Karamanlis nga zyra dhe madje edhe vrasjen e tij.
Pas këtij komploti qëndronin interesat për gazsjellësit South Stream dhe Bourgas – Alexandroupolis.
Sipas këtij dokumentari në veprim do të viheshin shtatë njësi terroriste, orkestrim i dhunës në rrugë dhe infiltrim në partitë politike.
Plani ka patur edhe një emër të koduar, Pythia -1.
Në vitin 2017 gjykatat greke gjykuan një agjent të CIA-s, William Basil që akuzohej se organizoi përgjimin telefonik të Karamanlis dhe gjysmës së kabinetit qeveritar përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Rendit./dita.al