Fatmir Limaj uron qytetarët në 13 -vjetorin e Pavarësisë

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka uruar qytetarët e Kosovës, në 13- vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka thënë se shpallja e pavarësisë 13 vjet më parë është kurorëzim i përpjekjeve të popullit shqiptar, që kulmuan me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të tjerë.
Ai ka thënë se kjo festë është më e zbetë pasi që po e presim pa një pjesë të bashkëluftëtarëve tanë, që ndodhen në Hagë.
Urimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot bëhen 13 vjet nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, e cila shënon të arritjen më të madhe në historinë e shtetit tonë.
Shpallja e pavarësisë 13 vjet më parë është kurorëzim i përpjekjeve të popullit shqiptar, që kulmuan me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të tjerë.
Kjo ditëlindje e 13-të e Kosovës sonë të pavarur, është e para që e presim pa një pjesë të bashkëluftëtarëve tanë, që sot padrejtësisht ndodhen në Hagë.
Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga përkushtimi për atdheun tonë, Kosovën. Do të punojmë fuqishëm që t’i japim sa më shumë zë, mundit dhe sakricës së njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë angazhuar për të realizuar ëndrrën tonë shekullore.
Në këtë ditë historike shprehim mirënjohje dhe u jemi përherë falënderues miqve tanë ndërkombëtarë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët në çdo moment kanë qenë krah mbështetës në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe si shtet, e që fatmirësisht si të tillë vazhdojnë të jenë.
Lavdi dëshmorëve të Kombit!
Urime 13-vjetori i pavarësisë!