NBA, Brooklyn Nets mposht Clippers, nuk falin Raptors dhe Bucks!

Në “Staples Center” buzëqesh Brooklyn Netsi. Rezultoi vërtet spektakolare sfida e zhvilluar në Los Angeles midis dy prej skuadrave më të kuotuara për të fituar titullin kampion në këtë sezon të NBA-së, ajo midis vendësve të Clippersit dhe njujorkezëve të Brooklynit Netsi.
Edhe pa Kevin Duranti skuadra e trajnerit kanadez Steve Nash arriti të fitonte me rezultatin e ngushtë 112-108 duke regjistruar fitoren e 20-të sezonale dhe të 6-n rresht. Diferencën në këtë sfidë e bëri James Hardeni, me mjekëroshin që koleksionoi në total 37 pikë 11 rikuperime poshtë tabelës dhe 7 pasime decizive. Brooklyni u ndihmua edhe nga loja e mirë e Kyrie Irvingut, i cili spikati me 28 pikë 4 rebound dhe 8 asiste. Te Clippersi dy më të mirët mbi parket ishin dy të përhërshmit Paul George dhe Kawhi Leonardi, por pavarsisht 36 pikëve të Georget dhe 29 pikëve, 13 rikuperimeve poshtë tabelës dhe 3 dhe pasimeve vendimtare të ish-lojtarit të San Antionio Spursit, kalifornianët nuk arritën të evitonin dot humbjen e 10-të sezonale. Ka rigjetur formën optimale gjatë këtyre dy javëve të fundit edhe Toronto Raptors.
Skuadra kanadeze mori fitoren e 4-t rresht pasi triumfoi në Amalie Arena përballë kryesuesve të Konferencës së Lindjes, Philadelphia 76-ers me rezultatin 110-103. Diferencën në këtë sfidë e bëri loja në grup e Raptorsit me plot 5 basketbollistë të ekipit kanadez që arritën një kuotë pikësh me dy shifra, ku spikatën më shumë VanVleeti dhe kamerunasi Siakami me nga 23 pikë secili. 76-ers nuk u mjaftuan 53 pikët e realizuar nga dyshja Benn Simmons-Joel Embiid. U rikthye te suksesi pas tri humbjesh rresht Oklahoma City Thunder që thelloi krizën e Clevelandit falë fitores me rezultatin e thellë 117-101.
Më i miri mbi parket për City Thunderin ishte kanadezi Gilgeous-Alexander me 31 pikë 4 rebound dhe 9 asiste. Në krahun tjetër ishin të pamjaftueshme për Clevelandin 27 pikët e Sextonit dhe 26 të Allenit. Në praninë e një numri të kufizuar shikuesish në Winconsin, Milwaukee Bucksi regjistroi fitoren e 18-të sezonale në 31 takime pasi mposhti pa shumë vështirësi Sacrmento Kingsin me rezultatin 128-115. Giannis Antetokounmpo ishte thjeshtë fantastik, duke bërë një paraqitje mbresëlënëse me 38 pikë dhe 14 rebound dhe 4 asiste, ndërkohë që spikati edhe Chris Midlettoni me 32 pikë. Aktualisht Bucksi pozicionohen të 3-të në Lindje, por e kanë kapacitetin për të synuar vendin e parë në këtë konferencë.