Nis protesta nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut: Unë jam Almiri, duam drejtësi

Me parulla në duar e me thirrjet për drejtësi, shqiptarët në Maqedoni të Veriut kanë protestuar gjatë ditës së sotme, para Gjykatës Themelore në Kumanovë, e cila ka urdhëruar që babai i Almir Aliut, 4-vjeçarit që u shkel për vdekje me makinë nga Boban Iliqi në korrik të vitit 2016 të paraqitet në burg, më 1 mars.
Pas protestës, familjarët e Almir Aliut me disa të tjerë, është paralajmëruar që të futen në grevë urie.
Kjo u bë e ditur nga faqja në Facebook “Katunart-Sheherlitë”, ku thonë se greva vjen si shenjë e revoltës ndaj padrejtësive gjyqësore ndaj shqiptarëve që skanë të ndalur, e që në rastin konkret dëmtojnë familjen e Almir Aliut, të vrarë nga Boban Iliqi.
“Pas përfundimit të protestës paqësore, ne do të vendosim tenda para gjykatës famëkeqe të Kumanovës dhe do të qëndrojmë aty në grevë urie, deri sa drejtësia të fitojë kundër padrejtësive. Ky është një hap që jemi të detyruar ta ndërmarim, pasi viktima sot po dënohet, kurse vrasësi po shpërblehet me liri. Nuk lejojmë që Almiri i vogël të vritet edhe një herë!”, thuhet në njoftim.
Këtë protestë e ka përkrahur edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook.
Ai ka bërë thirrje te të gjithë simpatizantët e Aleancës për Shqiptarët dhe te të gjithë qytetarët që t’i bashkohen protestës.
Fillimisht, Iliqi u dënua me 6 vjet burgim, ndërsa tani Gjykata Themelore në Kumanovë vendosi që ta rikualifikojë lëndën e Almir Aliut.
Pas këtij vendimi ndaj të akuzuarit Boban Iliq rëndon akuza “vepër e rëndë që rrezikon sigurinë e qytetarëve në trafik”, duke anuluar akuzën e mëparshme për “vrasje”.


