“Për Kosovën, për Shqiptarinë”/ E aksidentoi për vdekje, ia fal gjakun në varrim

Mbrëmë ka ndërruar jetë 67-vjeçari nga Shakovica e Podujevës, si pasojë e plagëve të marra nga goditja me veturë, shkruan Indeksonline.
Viktima V.A është varrosur sot në varrezat e Shakovicës. Gjatë varrimit, familja Azemi ia fali gjakun familjes Kastrati.
Indeksonline ka siguruar edhe pamjet, teksa dy familjet ia shtrinë dorën e pajtimit njëri-tjetrit.
“Ishalla nuk ndodh ma, le të jetë e fundit kjo për kombin, për Kosovën, për Shqiptarinë“, dëgjohet teksa flet vëllai e viktimës.
Për pajtimin mes këtyre dy familjeve ka negociuar kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari.
Falja e gjakut ka filluar si traditë në Kosovë, me iniciativën e humanistit Anton Qeta dhe një grupi të madh intelektualësh kosovarë të cilët kanë arritur që të pajtojnë me mijëra familje në Kosovë.
Ndryshe, aksidenti ndodhi mbrëmë rreth orës 19:30, ku një automjet në lëvizje goditi këmbësorin, tashmë viktimën V.A.
Viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë në Podujevë, ku mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e tij./Indeksonline/

