“Fortesa 2”, Grujoskit do të gjykohet në mungesë
Gjykatësja e rastit “Fortesa 2”, Lidija Petrovska e ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit të të dyshuarit të parë, ish-shefit të DSK-së Goran Grujoski, që të mos realizohet gjykimi pa përfunduar ekstradimi.
Duke u thirrur në Ligjin e procedurës penale, avokati Lupço Shvarovski tha se nëse klienti i tij gjykohet në mungesë do t’i cenohet e drejta e mbrojtjes.
Megjithatë Prokurorët e Prokurorisë Speciale Publike, Trajçe Pellivanov dhe Lençe Ristoska argumentet e tilla i kanë hedhur si të pabaza sepse gjykimi në mungesë të tij nuk ia cenon të drejtën të kërkojë përsëritje të procedurës.
Përndryshe, Prokuroria Speciale Publike (PSP) e udhëheqë lëndën me emrin e koduar “Fortesa” dhe më 15 shtator të këtij viti, ngriti akuzë kundër shtatë personave.
Akuza është ngritur për veprimet juridike penale që lidhen me përgjimin e paautorizuar të komunikimit.