75 Mall Live Search
18:54 / E Premte, 26 Shkurt 2021 / A. M.

Lulzim Peci: Mediat serbe dhe ruse janë të koordinuara në dezinformimin ndaj Kosovës

Instituti kosovar për kërkime dhe zhvillime të politikave kosovare (KIPRED) ka publikuar raportin për fushatën dezinformuese të medieve ruse dhe serbe kundër Kosovës për vitin 2020.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Lulzim Peci, i ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se mediet serbe dhe ato ruse janë të koordinuara në dezinformimin kundër shtetësisë së Kosovës.

“Ne i kemi monitoruar në baza mujore për një vit një numër të mediave serbe dhe kemi parë se ato gjatë vitit të kaluar kanë prodhuar rreth 4500 lajme që kanë pasur të bëjnë me Kosovën. I kemi monitoruar edhe një numër të medieve ruse (në gjuhën angleze) gjatë kësaj kohe ato kanë prodhuar rreth 1700 lajme në lidhje me Kosovën”.

Ai ka bërë të ditur se ky institut ka bërë monitorimin edhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë si dhe Kremlinit.

“Këto të dhëna tregojnë se kampanjat dezinformuese të Rusisë dhe Serbisë janë të koordinuara sepse këto media konsiderohen si të kontrolluara nga qeveritë. Ato kanë për qëllim që ta denigrojnë shtetësinë e Kosovës, pastaj mundohen që ta paraqesin UÇK-në si një formacion terrorist edhe me organizatë islamike – nuk ka fort kufij imagjinata e tyre”.

“Një temë shumë e rëndësishme ka qene edhe Gjykata Speciale e kështu me radhë. Tek Specialja është akuzuar perëndimi se nuk po ka dëshirë që t’i dënojë krimet e luftës në Kosovë dhe po ashtu në spikamë ka qenë çështja e trafikimit të organeve”.

Sipas tij, Rusia është duke u munduar që t’i ndërrojë narrativet e të kaluarës.