Griezman si rezervist “faji” i Messit

Nëntëdhjetë minuta i ulur në stol duke parë shokët të fitojnë një ndeshje delikate si ajo kundër Sevillas.
Problemet e Antoine Griezmann te Barcelona janë kthyer në sipërfaqe pas përjashtimit të francezit nga formacioni.
Megjithatë, në qendër të vëmendjes nuk ka qenë nata si spektator e kampionit të botës, por një postim në rrjetet sociale nga ana e Lionel Messit.
Në Spanjë i kanë interpretuar si një mosmarrëveshje e re mes 10 -ës dhe 7-ës së Barçës fotografitë e publikuara nga argjentinasi.
Siç ka shkruar “Cule Mania”, faqe e specializuar që ndjek nga afër çështjet e botës blaugrana, postimi i Messit, i bërë menjëherë pas fitores së Barcelonas ndaj Sevillas, duket se është i qartë.
Në fakt, “Pleshti” ka publikuar disa fotografi që e shfaqin në disa momente të ndeshjes. Në tre imazhe nga katër shihet Messi i vetëm në aksion, ndërsa në të fundit shfaqet i përqafuar me Martin Braithwaite, që nga të gjithë përshkruhet si rivali numër një i Griezmann për një vend në krah të argjentinasit.
Pikërisht kjo fotografi e fundit, në fakt, duket se është konfirmimi se lojtari danez është zgjedhur nga Leo si partneri ideal në fushë në vend të Griezmann.