Përfshihet nga zjarri një garazhë në Prishtinë, ekipet emergjente reagojnë shpejtë

Garazha e një shtëpie në lagjen “Velania” të Prishtinës, sonte është kapluar nga zjarri, por falë intervenimit të shpejtë të ekipeve emergjente rasti është kaluar me lehtësi, shkruan Indeksonline.
Ekipi i Indeksonline ishte në vendin e ngjarjes, ku fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Intervenimi i shpejtë i Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve bëri që mos të ketë pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Si pasojë e kësaj, në atë lagje është ndalë edhe energjia elektrike ndërsa ende nuk dihen arsyet që çuan në këtë zjarr.

Lidhur me këtë rast është deklaruar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se PK-ja po punon për hetimin e rrethanave të rastit.
“Rreth orës 19:00 është raportuar për një zjarr në një shtëpi në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë. Policia menjëherë pas informatës ka dalë në vendin e ngjarjes. Janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Policia po punon për hetimin e rrethanave të rastit”./Indeksonline/
