Sërish veprimtari ilegale në Karaçevë, Kastrati kërkon ndërhyrje nga organet qendrore

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se ka marrë informacione nga qytetarët se në Karaçevë kanë filluar sërish veprimtaritë e kundërligjshme, si lojërat e fatit, shkruan Indeksonline.
“Kemi informacione prej qytyetarëve që ka lojëra të fatit dhe veprimtari ilegale, por komuna nuk ka kompetenca të zhvillojë hetime…Ne si komunë kërkojmë nga organet e nivelit qëndror të ndërhyjnë…Rregullisht jemi në diskutime për çdo gjë që ndodh brenda komunës, kemi kërku për nevojën tonë me ndërhy”, tha Kastrati.
Kastrati u shpreh se së fundi Inspektorati i Komunës ka vizituar Karaçevën, mirëpo pronari i një objekti në ndërtim ka pohuar se po ndërton një fermë, por e njëjta nuk ka pasur leje dhe i është shqiptuar dënim.
“Inspektorati komunal ka qenë në vizitë dhe aty është paraqit që po synohet të ndërtohet një fermë, që s’ka pas leje, i është dhënë dënim…Ndërsa dje, sipas inspektoratit ajo pjesë ka qenë me shirita, nuk është vazhduar ndërtimi”, shtoi ai.
Për aksionin e Policisë në Karaçevë, Indeksonline ka raportuar ekskluzivisht ku pati të arrestuar, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë policorë.
Madje në atë vend u rrënuan edhe objektet në të cilat po zhvilloheshin ato veprimtari ilegale./Idneksonline/