E goditi për vdekje me grusht në kokë, Gjykata në Ferizaj merr vendim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: “Lëndim i rëndë trupor”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 21 shkurt 2021, në fshatin Bibaj – Komuna Ferizaj, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit A.L., në atë mënyrë që pas një fjalosje, ai e godet me grusht në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditjeje rrëzohet në tokë – beton dhe pëson lëndime trupore, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara ai ndërron jetë”, njofton gjykata.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi po të gjendet në liri i pandehuri, mund të arratiset ose të ikë, duke marrë parasysh se ai që nga data 21.02.2021 është arratisur, ka shkuar në Zvicër edhe për kundër faktit se ai është paraqitur vullnetarisht në organet e ndjekjes, ai ka të rregulluar statusin e lejeqëndrimit ne Zvicër dhe mund të ikë ose të arratiset”, thuhet në njoftim.