75 Mall Live Search
13:29 / E Martë, 09 Mars 2021 / OSH

Krasniqi: Vjosa Osmani ka energji dhe arrogancë të mjaftueshme për të qenë në politikë

Një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Krasniqi ka komentuar zhvillimet e fundit në vend.

Krasniqi konsideron se Osmani ka qenë figurë margjinale në LDK.

“Osmani në LDK, ka qenë figurë margjinale, sepse në LDK pushtetin e kanë “pashallarët lokalë”, pra kryetarët e degëve të LDK-së. Ata bëjnë aleanca të fshehta, caktojnë kuadrot dhe eliminojnë kuadro. Një nga mëkatet e Rugovës ka qenë bartja e fuqisë vemdimmarrëse të partisë në nivel lokal, te kryetarët e degëve, të cilët i kontrollonte lehtë. Por ata me kohë u bënë si pashallarë”, ka thënë Krasniqi për IndeksOnlinen.

Sipas tij, Osmani nuk ka mundur të ndihet rehat në LDK, kjo pasi siç ka thënë ai është një shoqëri “pashallarësh”.

“Me ambicien e saj pothuajse të shfrenuar për pushtet, Vjosa Osmani nuk ka mundur të ndihej rehat në atë shoqëri pashallarësh, të cilët edhe e kanë injoruar, besoj se edhe  e kanë minuar në zgjedhjet e vitit 2019”, ka theksuar ai.

“Në LDK ka pasur gjithmonë hile bizantiniste, bllokim e eliminim politik të njerëzve që nuk kanë qenë sipas shijes së liderit dhe të pashallarëve lokalë.  Ajo logjikë dhe ajo praktikë ka sjell reduktimin, zvogëlimin dhe  katandisjen e tashme”, tha ai.

Sa i përket së ardhmes politike të Osmanit, Krasniqi thotë se ajo ka ambicie dhe arrogancë të mjaftueshme për të qenë në politikë.

“Siç thashë më herët, nuk prognozoj, unë vetëm analizoj. Nga analiza më rezulon se ajo ka ambicie, energji dhe arrogancë të mjaftueshme për të qenë gjatë në politikë. Por se a do të ketë rezultate konkrete, që e mbajnë më gjatë në skenë, nuk varet vetëm prej saj”, konsideron Krasniqi.

Krasniqi kujton faktin se Kosova është përballë presioneve abnormale të komunitetit ndërkombëtar, gjë që mund të sjellë tërmete të tjera në skenën e politikës në vend.  

Ndryshe, vlen të përmendim faktin se 38-vjeçarja që mban pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë besimin e gjithsej 300 mijë e 788 kosovarëve./IndeksOnline/