75 Mall Live Search
13:23 / E Martë, 09 Mars 2021 / k.v

Dyshohet se sulmoi seksualisht 13-vjeçaren në Prizren, Gjykata ia cakton 1 muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i krimeve të rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 07.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më 06.04.2021, ndaj të pandehurit SH.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm seksual nga neni 229 par.6 të Kodit penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit SH.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Më 7 mars në orët e mesditës, i pandehuri SH.B., pasi që e kishte marrë me veturën e tij të dëmtuarën – fëmijën 13-vjeçare e prek të dëmtuarën në këmbë afër gjurit dhe në pjesë të ndryshëm të trupit derisa e dëmtuara ishte e ulur në karrigen e parë të pasagjerit dhe në një moment gjatë lëvizjes vetura ndalet nga patrulla e policisë, ku edhe i pandehuri shoqërohet në polici.

Kurse a do të argumentohen këto fakte, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që i kanoset për këtë vepër penale, e cila parashikohet me dënim me burgim prej dhjetë (10) vjet deri në njëzetë (20) vjet, si edhe peshës së veprës penale, e cila është e natyrës mjaft të rëndë.
Po ashtu qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet për këtë çështje sapo kanë filluar, andaj nëse i pandehuri lihet në liri ka arsye për të besuar se ai do të ndikojë te fëmija si dëmtuar apo edhe familjarët e saj në ndonjë mënyrë të caktuar për të ndryshuar deklarimet apo edhe të asgjësojë apo fsheh ndonjë provë materiale
Andaj, duke marrë parasysh të ato që cekën, gjykata ka ardhur në përfundimin se në rastin konkret masa e paraburgimit është më oportune dhe më e arsyeshme duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore dhe rrezikut të ikjes apo fshehjes së të pandehurit.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.