Ambasadorja amerikane në Shqipëri: Tre kandidatë janë në listën e zezë të DASH

Nga Elbasani ambasadorja amerikane Yuri Kim foli për tre kandidatë problematikë në zgjedhjet e 25 prillit.
Ndonëse nuk shqiptoi emrat e tyre, kryediplomatja tha se ata janë në listën e DASH dhe mund të gjenden në uebsajtin e Departamentit të Shtetit.
“Janë 3 persona që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar. Nuk kam për të shqiptuar emrat e tyre, por mund t’i shihni dhe t’i gjeni”, tha Yuri Kim. E pyetur nëse këta 3 kandidatë janë në Elbasan, Yuri Kim tha: “Bëhet fjalë për gjithë Shqipërinë. I keni në faqen e internetit të DASH”.
Sa i takon listave të kandidatëve kryediplomatja amerikane tha se jo të gjitha partitë kanë reflektuar.
“Për çështjen e listave më lejoni t’ju them, këndvështrimi i SHBA-ve është shumë i qartë dhe ndoshta jo diplomatik. Mendoj që partitë e kanë marrë këtë gjë në konsideratë, jo të gjitha, por pjesa e madhe e tyre. Tani këto janë me KQZ-në dhe është detyrë e tyre dhe e prokurorëve për të bërë vetingun e kandidatëve. Nuk është për t’u habitur nëse disa kandidatë do të skualifikoheshin.
Fuqia përfundimtare qëndron te votuesit. Një përmirësim i mirë është që votuesit do të kenë mundësinë jo vetëm për partinë, por edhe për kandidatët. Kam dëgjuar që blerja e votës është një problem, në Elbasan dhe jo vetëm. Do t’ju thoja atyre që blejnë vota që jeni duke kryer krim dhe jeni duke turpëruar nderin tuaj. Atyre që ju kërkohet t’u blihet vota do t’u thoja që vota juaj është pushteti juaj”, u shpreh Yuri Kim.
Yuri Kim tha gjithashtu se kreu i KQZ-së i ka bërë me dije se në zgjedhjet e 25 prillit do të ndalohen celularët në procesin e votimit.
“Sikurse jeni në dijeni, kur dhashë një intervistë një muaj më parë, kemi folur praktikën e zakonshme që votuesit marrin celularët në vendin e votimit që të fotografojnë votën. Jam gjithashtu e kënaqur që KQZ ka thënë që do të ndalojë marrjen e celularëve brenda qendrave të votimit. U përket autoriteteve që ta bëjnë më të vështirë blerjen e votës”, tha ambasadorja.