Agim Bahtiri kërkon mirëkuptim nga banorët për gurthyesin në Kçiq

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri po kërkon mirëkuptim nga banorët e fshatit Kçiq i Madh, për shqetësimin lidhur me punimet e gurthyesit, derisa komuna të përfundojë ndjekjen e procedurave ligjore
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, para disa ditësh ka pritur në takim kryetarin e fshatit Kçiq i Madh, Fatmir Salihu, së bashku me përfaqësuesit e këshillit të këtij fshati.
“Në takimin e mbajtur përfaqësuesit e fshatit Kçiq i Madh e kanë njoftuar kryetarin Bahtiri lidhur me shqetësimin e ngritur nga banorët e këtij fshati për punimet e kryera nga një kompani gurëthyesi, duke potencuar se puna e tyre po e dëmton infrastrukturën e rregulluar nga komuna, si dhe po e shkatërron ambientin”, thuhet në një njoftim të komunës së Mitrovicës.
Bahtiri ka thënë se leja për operimin e kompanisë është dhënë nga Ministria e Ambientit, ndërkaq pëlqimi është marrë nga komuna para vitit 2013, në kohën kur nuk ka qenë kryetar komune. Mirëpo ai gjatë takimit ka potencuar se do të vazhdojë të jap kontributin e tij në të gjitha format dhe kompetencat që posedon si kryetar.
“Dhe për këtë çështje, kryetari Bahtiri ka formuar një komision komunal i cili do të vlerësoj gjendjen faktike në teren, pastaj i’u ka dërguar edhe shkresë zyrtare Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minierale në kuadër të Ministrisë së Ambientit për të shqyrtuar dhe verifikuar shqetësimin e ngritur nga ana e banorëve, lidhur me dëmtimin serioz të ambientit në atë fshat, ku është kërkuar që ky komision të bashkëpunoj me komisionin komunal dhe pjesë e tij të jenë edhe Këshilli i Fshatit”, thuhet tutje në njoftim.
Komuna e Mitrovicës ka thënë se pas kryerjes së këtyre procedurave ligjore, komuna do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme konfrom asaj që merret vendim nga këto komisione.