75 Mall Live Search
17:12 / E Martë, 16 Mars 2021 / Blerim

Kush është komandant “Ujku” që u arrestua nga Specialja

Pjetër Shala ka qenë i angazhuar në zonën e Dukagjinit, ndërsa  si komandant ka operuar në fshatin Dujakë.

Pjetër Shala, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nofkën “Komandant Ujku”, ka bërë të ditur se ishte  intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga hetuesit e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shala kishte thënë se intervista me hetuesit e Gjykatës Speciale është bërë në Bruksel para disa ditësh.

Ai jeton prej vitesh në Belgjikë, ndërkohë që Shala gjatë intervistimit ai nuk kishte pasur avokat, ngase ka thënë se nuk ka kushte për të pasur një avokat mbrojtës.

Shala u arrestua në bazë të një fletarresti dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte nga Gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara.

Sipas njoftimit për media ai do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.

“Së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme. Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.