75 Mall Live Search
16:37 / E Mërkurë, 17 Mars 2021 / Blerim

Komiteti Ekzekutiv në “llupën” e hetimeve të Departamentit të Krimeve Ekonomike

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës është duke u hetuar nga Departamenti i Krimeve të Ekonomike.

Insporti mëson ekskluzivisht se intervistimi ka nisur nga dita e premte (12 mars). Një burim i Insportit thotë se rastin e ka prokurori me inicialet V.S dhe rreshteri i Policisë së Kosovës, A.M. Sipas burimit të Insportit, të premtën është intervistuar Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Pas Salihut, është intervistuar të hënën më 15 mars anëtari i KE, Agim Dibrani, ndërsa anëtari tjetër, Xhelal Broja të martën më 16 mars.Insporti ka kontatkuar me Eroll Salihun dhe Xhelal Broja, të cilët në deklaratat e tyre ka mos përputhje, pasi Eroll Salihu deklaroi se nuk është telefonuar nga Departamenti i Krimeve të Ekonomike, kurse Xhelal Broja në një prononcim ekskluziv për Insportin e pranoi se është kontaktuar nga Departamenti i Krimeve të Ekonomike.

Sipas Salihut, ai është telefonuar vetëm për çështjen e ish- zyrtarit të FFK-së, Ejup Osmanit.

“Nuk kam lidhje me këtë temë, edhe Agim Ademit iu ka hap, unë jam Sekretar i Përgjithshëm, këqyri punët e mia, asgjë tjetër, nuk kam prononcim. Puna është Ejup Osmanit që është dal prej pune edhe për këtë arsye kanë kërkuar informata, absolut çfarë krimi ka me qit dikë prej pune, kështu që nuk ia vlen, nuk e kam njet me fol, avokati është duke fol me ta. Është çështja e Ejupit Osmanit që e kemi qit prej punë, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, do të thotë këtë çështje ia kemi deleguar avokatit të FFK-së. Këto sene nuk ndalen te ne, po e shihni edhe vetë. Edhe na do të jemi të detyruar t’i drejtohemi UEFA-s edhe FIFA-s, kemi pas takim, nëse shteti nuk ndalet me u përzier në këto punë, paramendo në OJQ (Organizatë Jo Qeveritare) pse e keni qit prej punë Ejup Osmanit, në botë nuk ka kështu, këtu po mundohen me ba llug”.

Megjithatë, anëtari i KE, Xhelal Broja, për Insportin ka pranuar se i gjithë Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës janë telefonuar nga Departamenti i Krimeve të Ekonomike.

Broja deklaroi se përveç Agim Dibranit, të tjerët kanë kërkuar ftesat zyrtare nga Departamenti i Krimeve të Ekonomike.

Ai thotë se pasi të pranon ftesën zyrtare, do të paraqitet me avokatin e tij.

“Po, në lidhje me përjashtimin e Ejup Osmanit. Kjo absolut s’ka të bëjë me krime të rënda për një punëtor që nuk i ka përmbushur detyrat e veta. Departamenti i Krimeve të Ekonomike më ka thirrë. Ngo, ngo, mos të figuron veç emri jem, dmth krejt Komitetin Ekzekutiv të FFK-së e kanë thirrë. Nuk kena pranuar ftesë zyrtarë, kur të na vjen ftesa zyrtare do të shkojmë me avokat, po më duket diçka jo në rregull krimet  ekonomike. Nuk kam pranuar të shkojë pa më dërguar ftesën zyrtare, jo vetëm përmes telefonit. Përveç Agim Dibranit, askush tjetër nuk ju ka përgjigjur, presim ftesën zyrtare, mandej mundem me shku me këyqr çka po lypin e çka po dojnë”.

Insporti ka kontaktuar edhe me Agim Dibranin, por nuk ka pranur të flasë në lidhje me këtë çështje, duke thënë se duhet të kontaktojmë zyrën për informim të FFK-së.

Dibrani deklaroi se merret me këtë punë dhe na uroi ditë mirë.“Nuk jem të interesum, m’fal, s’merrna me ato, tu kisha lutë, veë po te përshendes edhe ditën e mirë.

“Jam në zhurmë nuk po të nij as çka po thu as çka po flet, nëse diçka e ki zyrën për informim”

Pozita e Ejup Osmanit në Federatën e Futbollit të Kosovës ka qenë: Shef i integritetit në FFK, për  trukime. Osmani është i licencuar dhe i përfaqësuar në UEFA dhe FIFA.

Më datën 10.03.2020 i është bërë suspendimi ndërsa 10.08.2020 ndërprerja e kontratës.

Ndërsa Inspektorati i punës i ka shfuqizuar të dy vendimet e FFK- së si dhe ka dënuar FFK-në me 10 mijë euro dhe Eroll Salihun me 2 mijë e pesëqind euro.

Insporti ka kërkuar informata shtesë nga Departamenti i Krimeve të Ekonomike, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kryetari i FFK-së Agim Ademi sipas zyrtares për informimt të FFK-së, Maki Bajrami, është jashtë vendi.

“Për besë kryetari është në udhëtim jashtë vendit, prandaj nuk kam çka të them”, tha Bajrami për “Albanian Post”, përcjell Insporti.

Më poshtë Insporti ju sjell anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së:Agim Ademi – President, Bakir Burri – Nënkryetar, Agim Dibrani – Nënkryetar, Predrag Jovic- Nënkryetar, Vjollca Krasniqi – Anëtare, Xhelal Broja – Anëtar, Ilaz Mjaku – Anëtar, Mirsad Çollaku – Anëtar, Flamur Bunjaku – Anëtar, Naser Ajeti – Anëtar, Agim Nura – Anëtar, Ismail Ajeti – anëtar, Eroll Salihu – Sekretar i Përgjithshëm