75 Mall Live Search
18:42 / E Mërkurë, 17 Mars 2021 / Blerim

Arrestohen tre grabitësit 17 vjeçar nga Podujeva, grabitnin çanta nga duart e qytetarëve

Policia e Kosovës në Podujevë, ka arritur të  bie në gjurmët e tre grabitësve nga Podujeva, që në disa raste kanë arritur që t’iu merrnin çantat qytetarëve në Podujevë. Që të tre grabitësit janë të moshës 17 vjeç.

“Nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës, sot janë arrestuar tre persona të dyshuar, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë, që ka ndodhë në rrugën “Zahir Pajaziti”në Podujevë”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka bërë të ditur se rasti i vjedhjes ka ndodhur me datën 31.10.2020, ku personat e dyshuar, kanë  arritë që me forcë të marrin nga viktima ( femër) një çantë dore, (ku kishte një shumë të parave, dy telefona, si dhe dokumentet personale etj.).

“Organizimi i mirë i punës së hetuesve policor të Podujevës, ka mundësuar arrestimin e tre personave të dyshuar, që të tre të moshës 17 vjeç.  Pas intervistimit personat e dyshuar me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, theksoi Ahmeti.

Ajo ka thënë se ndërkohë që bazuar në të gjeturat e deritanishme nga hetuesit policor, dyshohet se personat e njëjtë janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të natyrës së njëjtë.