Krasniqi: Situata me Covid-19 po rëndohet, Qeverisë do i dërgojmë shkresë!

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, u shpreh se gjendja me Covidin-19 është duke u rënduar dhe po ka numër të madh të pacientëve që po kërkojnë shtrim në spitale, shkruan Indeksonline.
“Situata me Covidin-19 është duke u rënduar nga dita në ditë. Ne po shohim përditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë shtrim në spitale, sot kemi 780 pacientë të shtruar në 7 spitale të përgjithshme dhe në klinikat “Covid” të QKUK-së”.
Ai po ashtu tregoi se Qeverisë do ia dërgojnë një shkresë, në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve.
“Ne si SHSKUK i kemi bërë tashmë e një kohë të gjatë të ditura kapacitetet tona spitalore. Dje në takimin e Komitetit për menaxhimin e pandemisë është vendosur që do t’ia dergojmë një shkresë Qeverisë, në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve”.
Krasniqi tregoi se duhet marrë çdo vaksinë që del në përdorim dhe aprovohet pasi çdo ilaç ka efekte anësore që shfaqen te një numër i vogël i pacientëve.
“Çdo vaksinë që del në përodrim dhe aprovohet, ajo dueht të jetë e sigurt për përdorim. Duhet ta dimë se çdo vaksinë apo ilaç ka efektet anësore. Nëse këto efekte anësore paraqiten te një numër i vogël i pacientëve nuk është arsye për të mos u përdorur”./Indeksonline/