Ligjvënësit e Nju Jorkut pajtohen për legalizimin e marijuanës rekreacionale

Ligjvënësit e shtetit New York kanë arritur marrëveshje për legalizimin e marijuanës rekreacionale për të rriturit, pasi guvernatori Andrew Cuomo e cilësoi këtë si prioritet kryesor si pjesë e planit për t’i rritur të ardhurat nga taksat.
Senatorja e këtij shteti, Liz Krueger, tha të mërkurën për gazetën “Wall Street Journal” se ligjvënësit janë duke i vendosur hollësitë e fundit në Projektligjin me të cilin planifikohet krijimi i rregullatorit të ri për marijuanë dhe produkte të saj si dhe dekriminalizimi i posedimit të më së shumti 85 gramëve marijuanë nga personat e moshës 21-vjeçare ose më të vjetër.
Sipas Projektligjit… të propozuar, banorët e shtetit New York, do të kenë të drejtë të mbajnë marijuanë rekreacionale në shtëpi, madje të kultivojnë një numër të kufizuar të rrënjëve të kësaj bime në pronat e tyre, shkruan “Daily Mail”.
“Këtë vit duhet ta kryejmë këtë punë dhe përfundimi i saj është jetik në kohën kur të kalojë buxheti”, deklaroi guvernatori Cuomo, duke e cilësuar Projektligjin për legalizim të marijuanës si prioritet kryesor.
Kjo është përpjekja e tretë për legalizimin e marijuanës, pasi dy përpjekje më 2019 dhe 2020 për legalizimin e plotë të marijuanës kishin dështuar, pavarësisht fitores së demokratëve, më 2018 në të dyja dhomat e Legjislativit.