Arrestohen dy persona të dyshuar për mashtrim

Mbrëmë rreth orës 18:00, hetuesit e Stacionit policor në Vushtrri, në bashkëpunim me zyrtarë policorë në pikën kufitare Hani i Elezit, kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale: “Mashtrim”, të raportuar gjatë ditës së djeshme në Vushtrri.
Mbi bazën e të dhënave të pranuara nga ankuesi janë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore, ku vetëm disa orë pas raportimit të rastit janë arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Republikës së Maqedonisë Veriore.
Bazuar në rezultatet e para hetimore, dy të dyshuarit një ditë më parë, duke vënë në lajthim ankuesin ia kishin marrë një shumë të konsiderueshme të parave, duke e mashtruar kinse janë duke mbledhur fonde humanitare.
Pas procedurave të intervistimit, nga prokurori i rastit dy të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale: “Mashtrim”.