Kurti në mbledhjen e II të Qeverisë, miraton Projektrregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së dytë të qeverisë të mbajtur sot, me ministrat e qeverisë së re kanë miratuar projektrregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative.
Në miratimin e kësaj rregulloreje nuk pat asnjë votë kundër e asnjë abstenim, shkruan Indeksonline.
“E di që ka vendime të shumta qe janë duke u përgatitur nga të gjitha ministritë që janë të gjitha urgjente, e ky është një vendim urgjent, e cila është rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative e cila i hap rrugë sistemimit të përgjegjësive që kemi në kryeministri e ministri”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kryeministri u shpreh se si rezultat i këtyre vendimeve është për shkak të disa papërgjegjësive që janë bërë në disa ministr.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve , Hekuran Murati, ka thënë se i ka dorëzuar disa çështje teknike në administratë ku për shkak të formulimit janë atribuuar si kompetenca nëpër ministri, siç është çështja të Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, por këto janë kompetencë e Ministrisë së Financave.
“Në lidhje me projekt rregulloren që e kemi pranuar, kam disa komente të cilat ja kam dorëzuar administratës pra janë disa çështje teknike që kanë të bëjnë me përgjegjësisë, pra janë kompetencat e ministrisë e për shkak të formulimit janë atribuuar si kompetenca nëpër ministri, siç është çështja të Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, por këto janë kompetencë e Ministrisë së Financave”, ka thënë ministri Murati.
Ndër të tjera ai tha se këto u janë dorëzuar administratës e besoj që do të merren parasysh.
Ndërsa, në këtë mbledhje ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se ndjej si ministri Murati, ka paraqitur komentet e saja sqaruese.
“Njëjtë edhe unë kam dërguar disa komente para 2 orëve dhe shpresoj që këto komente do të merren parasysh e këto janë komente sqaruese të termeve pasi që kemi marr edhe ndërmarrësinë që përfshihen edhe çështjet e inovacionit pra, për ndërmarrjet fillestare e aty kam dhënë disa koment që duhet të korrigjohen”, ka thënë ministrja Hajdari.
Rregullorja 08/5-005 të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbledhjes së mbajtur me 22 mars 2021, për zgjedhjen e qeverisë së Kosovës në pajtim me nenin 19/6.2 të Rregullores së Punës së qeverisë numër 09/2011.
Kryemistri Kurti, ka thënë se në bazë të këtyre dispozitave të kësaj projekt rregulloreje duhet të i përmbahen kryeministri, ministrat e zëvendëskryeministrat, këshilltarët e këshilltarët e jashtëm politik, nëpunësit e punësuar në kabinete e nëpunësit civil në qeverinë e Republikës së Kosovës.
Rregullorja përkufizon funksionet e Qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe kompetencat përmes miratimit të vendimeve me propozimin e anëtarëve të Qeverisë dhe institucioneve tjera në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi; miratimit të akteve juridike ose rregulloreve, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; diskutimin e problemeve dhe miratimin e vendimeve për çështje të tjera që ajo i konsideron të rëndësishme në kuadër të kompetencave të saj; miratimit të vendimit për emërimet dhe shkarkimet brenda kompetencave të saj, si dhe kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
Rregullorja e miratuar nga Qeveria e Kosovës përcakton edhe përbërjen nga këto ministri:
1. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD);
2. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT);
3. Ministria e Drejtësisë (MD);
4. Ministria e Mbrojtjes (MM);
5. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB);
6. Ministria e Shëndetësisë (MSH);
7. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI);
8. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS);
9. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL);
10. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI);
11. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR);
12. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT);
13. Ministria e Ekonomisë (ME);
14. Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK);
15. Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR).
/Indeksonline/