Dalin pamjet e të riut Arjan Sala pak para çasteve fatale të zjarrit

Imazhet që shikoni në galeri, janë shkëputur nga filmimet e një kamere sigurie dhe tregojnë momentet kur i ndjeri Arjan Sala vraponte të jepte ndihmë pas zjarrit që shpërtheu në magazinën pranë qendrës tregtare “Casa Italia” në dalje të Tiranës.
Arjan Sala, 32 vjeç, ishte baba i një fëmije 2 vjeç. Ai punonte në shërbimin e sigurisë dhe atë ditë fatale të së mërkurës ndodhej në detyrë.

Pasditën e së mërkurës kur ka shpërthyer zjarri në magazinë te kthesa e Kamzës, Sala ishte bashkë me dy kolegë të tij si edhe djalin e pronarit të biznesit, raporton Noa.
Nga hetimet ka rezultuar që tre të tjerët kanë bërë përpjekje për t’u futur në magazinë dhe janë kthyer pas në momentin kur janë ndjerë keq nga tymi dhe flakët.

Ndërsa Arjani ka përparuar më në thellësi me një bomblë që përdoret për shuarjen e flakëve në duar.
Mjeti në fjalë i është gjetur pranë trupit të pajetë në momentin kur është zbuluar pas pothuajse 3 ditë kërkimesh.
Personat që kanë qenë me Salën atë ditë përfshirë edhe djalin e pronarit të qendrës tregtare, janë marrë në pyetje nga hetuesit ku kanë dhënë edhe dëshmitë e tyre.

Ata kanë treguar se me përhapjen masive të flakëve janë kthyer pas duke humbur nga sytë 32-vjeçarin.
Përpara se Sala të bllokohej në magazinë, duke pësuar fillimisht asfiksi dhe më pas humbur jetën, ka asistuar në avakuimin nga kati nëntokë i godinës e të paktën 7 personave që ndodheshin aty.
