75 Mall Live Search
10:45 / E Mërkurë, 31 Mars 2021 / OSH

Qytetarët mirëpresin vendimin e LDK-së për Osmanin: Vendi s’duhet të shkojë sërish në zgjedhje

Qytetarët po e cilësojnë si të drejtë vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të qëndruar në sallë ditën kur edhe do votohet për presidente Vjosa Osmani.

Madje sipas tyre vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje dhe se presidenti duhet të zgjidhet sa më shpejt.

Vahid Berisha, e cilëson vendimin e LDK-së si të drejtë, pasi sipas tij, nuk duhet të bëhen harxhime të kota për zgjedhje të reja.

“Unë jam i kënaqur me këtë vendim, shkaku i asaj që të mos shkojë populli edhe njëherë në zgjedhje, me bë harxhime dhe që po bëhen gjithë ato zgjedhje në një kohë të shkurtër”, tha Berisha.

Arbnor Cana, tha se dyshon që vendi do shkojë sërish në zgjedhje, por thotë që institucionet duhet të jenë funksionale patjetër.

“Institucionet duhet të themelohen, mos me shkue prapë në zgjedhje edhe pse prapë dyshoj që zgjedhje do ketë prapë”, theksoi ai.

Ndërsa Liman Limani tha se nëse vendi shkon në zgjedhje bëhet “katastrofë”, andaj presidenti duhet të zgjidhet.

“Vendimi i LDK-së është i mirë dhe i mirëseardhur, mos me shkue në zgjedhje dhe me u ba katastrofë më e madhe”, deklaroi Limani.

Edhe Sahit Sahiti, tha se vendimin e LDK-së e sheh si të drejtë dhe pozitiv, raporton EO.

“Vendimin e LDK-së e shoh shumë të drejtë dhe pozitiv, nëse nuk zgjidhet presidentja pa marrë parasysh se kush me cilën parti është”, përfundoi Sahiti.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me Grupin parlamentar të kësaj partie, tha se kanë marrë vendim që të qëndrojnë në sallë kur do të votohet Vjosa Osmani, për presidente.