Haliti: S’kisha informacione se do të mbahej seanca për presidentin

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për mungesën e tij në seancën për votimin e Vjosa Osmanit për Presidente të Kosovës.
Haliti në Info Magazine ka thënë se nuk ishte i informuar nga Kuvendi i Kosovës se do të kishte seancë për votimin e presidentit të vendit më 4 prill.
“Përveç rregullave që i përcakton ligji dhe Kushtetuta, gjithkush e ka jetën e vet, mënyrën e vet të jetesës dhe i ka të përcaktuara rregullat e veta. Unë jam deklaruar publikisht sa i përket punës së kuorumit. Nuk kam pasë asnjë obligim, as për të qëndruar në Kosovë, por edhe as për t’u kthyer në Kosovë nga Pogradeci”.
“Unë për vete nuk e kam ditë se seanca do të mbahej. Publikisht e kam deklaruar obligimin që e kanë deputetët, sipas Kushtetutës. Secili deputet duhet me qenë prezent në sallën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, kjo është obligim. Si sot, si atëherë, unë do ta kem mendimin që gjithmonë deputetët zgjedhen për të votuar kundër, pro dhe abstenuar në seanca si dhe për të zhvilluar betejën politike aty”.
“Demokracia jonë e brishtë dhe akoma në hapat e parë të ndërtimit të saj ka një përvojë disavjeçare me batica dhe zbatica, unë nuk kam të drejtë të gjykoj, por mendoj që rregullat duhet të jenë të vendosura për secilin deputet. Pavarësia e deputetit duhet të jetë në rend të parë dhe jo për t’u komanduar nga kryetarët e partisë”, ka thënë Haliti.