75 Mall Live Search
22:08 / E Enjte, 08 Prill 2021 / OSH

Detyrimi për t’u vaksinuar, Gjykata europiane: Mjet që i shërben shëndetit të mirë publik

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë një vendim këtë të enjte për vaksinimin e detyrueshëm.

Kjo është një temë e nxehtë në publikun mbarëbotëror, e shtyrë përpara edhe nga teori të ndryshme konspirative.

Ajo vendosi se vaksinimet e detyrueshme janë të ligjshme dhe të nevojshme në shoqëritë demokratike.

Ishte një familje çeke që e dërgoi këtë çështje në Gjykatë, ndërsa kundërshtonte vaksinimin e detyrueshëm te fëmijët.

Megjithëse vendimi nuk flet drejtpërdrejt për vaksinat kundër Covid-19, ekspertët e së drejtës besojnë se precedenti mund të shërbejë për të deklaruar se shëndeti publik është parësor.

Vendimi i marrë të enjten për vaksinimin e detyrueshëm për fëmijët tha se autoritetet shëndetësore çeke ishin në përputhje me “interesat më të mira” për fëmijët.

“Objektivi duhet të jetë që çdo fëmijë të mbrohet kundër sëmundjeve të rënda, përmes vaksinimit ose për shkak të imunitetit të tufës,” thuhet në vendim.

Gjykata vendosi se politika shëndetësore çeke nuk ishte në shkelje të Nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të respektuar privatësinë.

Sipas ligjit çek, fëmijët duhet të vaksinohen kundër nëntë sëmundjeve duke përfshirë difterinë, tetanozin, kollën e mirë, hepatitin B dhe fruthin.

Ka një grup në rritje të qytetarëve që nuk duan të vaksinohen për këto sëmundje dhe të tjera, ndaj dhe ky vendim i gjykatës mund të shërbejë për të krijuar bindjen te njerëzit e përgjegjshëm se vaksinimi shpëton jetë.

Ekspertët ndërkaq thonë se, megjithëse vendimi mund të ketë krijuar precedentin që vaksinimet e detyrueshme nuk bien ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo nuk do të thotë se vendet duhet t’i detyrojnë njerëzit të vaksinohen.