Greqia ofron mbështetje për organizatën terroriste PKK

Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun tha se Greqia ofron strehim për organizatat terroriste kryesisht për PKK-në.
Altun nga llogaria e tij në Twitter bëri një postim në anglisht lidhur me mbështetjen që Greqia jep për PKK-në, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi Altun ka postuar edhe një video 3 minutëshe e cila shpjegon luftën e Turqisë kundër organizatave terroriste DEASH, FETO dhe PKK. “Greqia ofron strehim për organizatat terroriste kryesisht për PKK-në. Teksa refugjatët e vërtetë braktisen në Egje në vdekje, terroristët që janë pozicionuar në të ashtuquajturin kampin e refugjatëve brenda kufijve të BE-së, planifikojnë akte terroriste dhe sulme kamikaze kundër Turqisë e cila është anëtare e NATO-s. Ka ardhur koha që të përfundojë imuniteti i Greqisë”, tha Altun.
Ndërsa në videon e postuar nënvizohet se disa vende të huaja ndihmojnë këto grupe përballë luftës së vendosur të Turqisë kundër terrorizmit.
“Greqia është bërë si strehë për PKK-në dhe për FETO-n”, thuhet në videon ku njoftohet se kreu terrorist Abdullah Öcalan në vitin 1999 shkoi në Athinë dhe se ai ka përdorur një pasaportë të Qipros Greke.
Öcalan u kap teksa transferohej nga rezidenca e ambasadorit të Greqisë për në aeroportin Nairobi, thuhet në videon në të cilën vihet theksi se gjatë gjykimit të Öcalan-it ka pranuar se si Greqia ka mbështetur ndër vite PKK-në.
Më tej në video nënvizohet se Öcalan ka thënë se militantët e PKK-së trajnohen në kampin Lavrio dhe se kampi në fjalë është ende aktiv.
Gjithashtu njoftohet se Greqia ka ofruar mbështetje të hapur edhe për anëtarët e FETO-s pas grushtit të shtetit të 15 korrikut, ku puçistët e arratisur në këtë vend shëtisin të lirë brenda tij në vend që të ekstradohen.
Po ashtu në video thuhet se Ankaraja i bën thirrje kryesisht fqinjit të saj Greqisë dhe vendeve të tjera aleate të NATO-s që të mbështesin çdo përpjekje të Turqisë kundër organizatave terroriste.