Ukë Rugova deklarohet i pafajshëm

Ish-deputeti, Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, si dhe tre të tjerë të akuzuar për krim të organizuar lidhur me viza italiane, edhe një herë tjetër janë deklaruar të pafajshëm.
Në seancën e shqyrtimit kryesor që po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit edhe një herë tjetër kanë mohuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca e shqyrtimit kryesor është duke vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë. Ndryshe, 14 janari 2020 është data kur për herë të fundit u mbajt gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve.
Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija e tre të akuzuarit tjerë janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit, Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të jetë më efikas.
Tentativë për mbajtjen e gjykimit ndaj Ukë Rugovës, Astrit Haraqisë e tre të akuzuarve tjerë ishte bërë me 26 shkurt 2020, por gjykimi nuk ishte mbajtur pasi trupi gjykues nuk ishte në përbërje të plotë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit. Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.