Flet për Indeksonline kreu i KQZ-së, Celibashi: Ndërperjet sporadike të votimit kanë qenë në rreth 84 qendra votimi

Ora 7 e mëngjesit të sotëm, ka shënuar hapjen e procesit të votimit deri në orën 19:00, kohë në të cilën qytetarët shqiptarë do të vendosin se kush do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme.
Janë 3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, të cilët do të hedhin votën e tyre në 5,199 qendra votimi, shkruan Indeksonline.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një intervistë për Indeksonline ka thënë se deri më tani procesi ka shkuar mirë dhe se nuk ka problematika që mundet të vë në dyshim integritetin e procesit.
“Po duket se kemi një situate të qetë. Deri tani nuk ka problematika që mundet të vënë në dyshim integritetin e procesit. Problemet kryesisht janë të lidhura me pajisjen e identifikimit elektronik. Por edhe në këtë rast këto probleme në numër kanë qenë shumë të vogël. Në më pak se 200 qendra votimi nga 5199 në total janë konstatuar këto probleme”, ka thënë Celibashi.
Kreu i KQZ-së, ka deklaruar se sipas raportimit të fundit nga i gjithë vendi, pjesëmarrja në gjithë Shqipërinë deri në orën 16:00 ka shkuar në nivelin e 40.91%.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar shifrat e pjesëmarrjes së qytetarëve në të gjithë vendin në zgjedhjet e 25 prillit, ku deri në ora 16:00 sipas raportimeve qe ne kemi perqindja ka qene rreth 40.91%”, ka deklaruar ai.
Celibashi për Indeksonline, ka bërë të ditur se në krahasim me zgjedhjet e kaluara të vitit 2017, ka një rritje 2% të pjesmarrjes së votueseve.
“Pak a shume në këto nivele ka qenë përqindja e pjesmarrjes. Ka nje rritje rreth 2% deri me tani krahsuar kjo me të njejtën orar sondimi të zgjedhjeve të vitit 2017”, ka bërë të ditur Celibashi.
Ndër të tjera ai ka deklaruar se incidente në këtë proces të votimit kanë qenë shumë sporadike, jo me permbajtje kompremtuese për procesin.
Sipas tij kjo është vleresuar në tërësinë e procesit.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka shtuar se po votohet në 5199 qendra.
“Janë hapur të gjitha qendrat e votimit, ndërperjet sporadike të votimit kanë qenë në rreth 84 qendra votimi dhe për një kohë jo më të gjatë se 10-20 min. E ajo çfarë vlen të thuhet në më shumë se 90% të rasteve shkaqet e ndërprerjes kanë qenë fare pa sens”, ka shtuar ai.
Në mesditë ishte sulmuar aplikacioni i KQZ-së, Celibashi ka bërë të ditur se situata tani është normale dhe se sulmi nuk lidhet me kompromentimin e te dhënave, por me bllokimin e transmetimit të tyre.
“Aplikacioni i KQZ-së, u sulmua pak orë me parë, por tani situata është krejt normale. Sulmi nuk lidhet me kompromentimin e te dhënave, por me bllokimin e transmetimit të tyre”, ka bërë të ditur Celibashi./Elmedina Ballazhi/Indeksonline/