75 Mall Live Search
14:21 / E Premte, 17 Nëntor 2017 / k.v

Çka kishte deklaruar Fatmir Limaj në vitin 2011 për rastin MTPT (Video)

Deklarata e ish kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons se ky mision kishte për qëllim eliminimin e një pjesë politike siç është rasti i kryetarit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka nxitur reagime të shumta.

Simmons duke iu referuar rastit të njohur si MTPT, ndër të tjera ka thënë në një intervistë për mediet franceze se misioni i EULEX-it dëshironte t’i nxjerre pengesa Limajt sa herë që afroheshin zgjedhjet. Madje, Simmos thotë se kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it të asaj kohe, Charlles Smith, i ka thënë  atij se ky mision dëshironte që Limaj të dënohet.

Por, çfarë kishte deklaruar zëvendëskryeministri Limaj për rastin MTPT në vitin 2011.

Në një intervistë për televizionin publik, Fatmir Limaj pati deklaruar se është tërësisht i pafajshëm nga akuzat e EULEX-it dhe se asnjë cent nuk e ka keqpërdorur për sa kohë që e pati drejtuar ministrinë e Transportit.

“Siç kam thënë  edhe më herët asnjë cent nuk kanë me mujtë me gjete në ministri të Transportit të keqpërdorur.

Kurrë s’kanë më mujtë me gjete të keqpërdorur nga ana ime. Unë e kam dashur vendin tim dhe kam punuar me pasion dhe do të punojë gjithë jetën”, ka thënë Limaj.

Limaj në këtë intervistë kishte deklaruar se tendencat për ta eliminuar politikisht do të dështojnë, madje edhe nëse e çojnë në burg.

“Veç populli i Kosovës mundet. Nëse ata nuk me mbështetësin me votë. Vetëm qytetarëve të Kosovës i përkulëm. Kemi luftuar për lirinë. Kur kemi ditë me luftu për lirinë e vendit, ne dimë të luftojmë edhe për lirinë tonë”, kishte deklaruar Limaj.

Ndryshe, në seancën e djeshme  gjyqësore, Gjykata ka konstatuar se disa mesazhe mes këshilltarit të Fatmir Limajt, Endrit Shala dhe biznesmenit Florim Zuka që janë prezantuar si fakte inkriminime në rastin kundër Limajt, janë vërtetuar të kenë qenë të falsifikuara.