Mbikalim apo nënkalim në Veternik te Albi Mall, dilema mes Qeverisë dhe Komunës

Indeksonline dje gjatë ditës ka raportuar se ka nisur një peticion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e mbikalimit në lagjen Veternik të Prishtinës.
Përmes këtij peticioni, kërkohet ndërtimi i një mbikalimi mes “Albi Mall” dhe Kolegjit “Heimerer”, pasi që numri i njerëzve që frekuentojnë atë rrugë është shumë i madh.

Në një përgjigje për Indeksonline, nga Ministria e Infratrukturës thanë se projekti për mbikalim ishte hartuar në vitin 2019, me vlerë të përafërt prej 360 mijë eurosh.
“Ministria e Infrastrukturës në vitin 2019, ka hartuar Projektin për Mbikalimin për këmbësor në Veternik. Projekti është hartuar nga kompania projektuese”Infratek”-Prishtinë. Vlera e përafërt për ndërtimin e mbikalimit është 360,000.00 €”.
Por ky projekt deri më tani nuk është realizuar. Nga Ministria e Infratrukturës “fajin” ia lanë Komunës së Prishtinës dhe Bizneseve.
Sipas tyre, Komuna e Prishtinës kishte kërkesë që në atë vend të ndërtohet nënkalim.
“Ky projekt nuk është inicuar për procedurë të mëtejme për shkak të kërkesave nga ana e Komunës së Prishtinës dhe Bizneseve që në lokacionin e paraparë për Mbikalim të ndërtohet Nënkalim, në mënyrë që të këtë një qasje më të lehtë për këmbësorët.
Me qëllim të shpejtimi të realizimit të këtij projekti nevoitet një koordinim me Komunën e Prishtinës lidhur me atë së a do të ndërtohet Mbikalim apo Nënkalim.
Për këtë projekt Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar mjete financiare në kuadër të buxhetit të rregullt”, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.