Plas “sherri” mes Abelard Tahirit dhe Armend Mujës

Sonte, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e akuzoi deputetin e VV-së, Armend Mujën, se ka shitur licenca të universiteteve private. Tahiri u shpreh se Muja duhej të ishte në burg.
Tahiri tha se Mujës i është vjetëruar lënda dhe i është parashkruar sepse s’ka mundur të gjykohej, shkruan Indeksonline.
“Kryetari i Komisionit për Financa, (i VV-së) ai realisht do duhej të ishte në burg, sepse ai ka shitur licenca të universiteteve private — z. Muja, Armend Muja. Atij i është parashkruar lënda, parashkrim do të thotë se është vjetruar lënda edhe s’ka mundur të gjykohej. Ai asnjëherë s’ka qenë i yni, ai ka qenë një keqpërdorues”, ka thënë Tahiri në T7.
Lidhur me këto akuza, erdhi edhe përgjigja e Armend Mujës.
Ai mohoi të ketë shitur licenca dhe se është i gatshëm të përballet me drejtësinë.
“Abelard apo Abelardë?, unë mendoj që Abelardi ka qenë Ministër i Drejtësisë, sot shef i GP të PDK-së, me atë nivelin e alfabetizimit, unë vërtet e konsideroj mjerim të përzgjidhesh një post të tillë ndërkohë se ke kaluar testin elementar të drejtshkrimit, jo që kam dicka personale.
Sa i përket me hi në burg, po mendoj që zotëri Tahiri po më dënon me atë, këta zakonisht i kanë shti në burg kundërshtarët politikë në të kaluarën. Në atë kohë s’kam pasur post publik dhe as s’kam shitur licenca. Për çdo dyshim jam i gatshëm të përballem”, tha Muja në RTV Dukagjini./Indeksonline/