Ekskluzive: MAPL me iniciativë për të ndryshuar dy ligje të zgjedhjeve lokale e që lidhen me “Zajednicën”

Kosovarët këtë vit sërish do të nisen drejt kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel lokal. Në tetor ata pritet që të votojnë për kryetarët e komunave dhe asambleistët lokal.
Ndërsa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), pritet që shumë shpejtë të procedojë me disa ndryshime në funksionimin e ligjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet komunale, me organizimin brenda komunave si dhe financat e pushtetit lokal.
E tërë kjo siç mëson IndeksOnline lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe.
Nga burimet brenda këtij procesi IndeksOnline ka mësuar se ashtu siç edhe flitet në “non-paper-in”, e famshëm të publikuar ditë më parë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, përmes projektligjit të ri për vetëqeverisje lokale do të krijohet një “njësi e veçantë administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, e cila do të kishte të drejtë të rregullonte legjislacionin në bazë rajonale në fushat e ekonomisë, financave, pronësisë së infrastrukturës, kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, gjyqësorit etj…”. Pra duke iu referuar kështu krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe e cila sipas tërë kësaj do të kishte kompetenca ekzekutive.
IndeksOnline ka dërguar pyetje në adresë të MAPL, për të kuptuar më shumë rreth kësaj situate dhe se pse po kërkohen të bëhen këto ndryshime në kohën kur jemi në vit zgjedhor.
Se a lidhet ky proces me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në MAPL mohojnë një gjë të tillë.
“Sikurse hartimi i dy ligjeve të reja ashtu edhe plotësimi dhe ndryshimi i ligjeve ekzistuese do të bëhen përmes një konsultimi gjithëpërfshirës ku pjesë e grupeve punues do të jenë të gjitha palët e interesit si dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare. I gjithë ky proces do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion me qëllim të adresimit të të gjitha problemeve në nivelin lokal bazuar në standardet ndërkombëtare dhe nuk i hap rrugë dhe nuk ndërlidhet në mënyrë absolute me ndonjë proces tjetër”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.
Madje sipas tyre mendimi i Qeverisë sa i përket këtij asociacioni është i qartë, ai nuk do të jetë një etnik.
“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës dhe i MAPL-së sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i qartë, nuk mund të ketë asociacion një etnik në Republikën e Kosovës. Në fakt, me ndryshimet e projektligjit për vetëqeverisje lokale do të bllokohet krijimi i një entiteti një etnik sikurse Zajednica”, thuhet tutje në përgjigjen e MAPL-së.
Ata theksojnë se sa i përket ligjit për Zgjedhjet lokale është bërë një vlerësim ex-post e në të cilën kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të disa institucioneve.
Në anën tjetër IndeksOnline ka marrë edhe qëndrimin e përfaqësuesve të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Drejtori ekzekutiv i këtij asociacioni Sazan Ibrahimi ka deklaruar se nuk kanë qenë të kontaktuar sa i përket ndryshimit të ligjit për vetëqeverisje lokale.
“Jo, neve si Asociacion i Komunave nuk kemi qenë të kontaktuar sa i përket mundësisë së ndryshimit të ligjit mbi vetëqeverisjes lokale. Komunat, përmes Asociacionit asnjë herë nuk e kanë ngritur nevojën për amandamentimin e ligjit për vetëqeverisje lokale”, tha ai për IndeksOnline.
Sipas Ibrahimit tani nuk është momenti i duhur për ndryshimin e ligjit për vetëqeverisjes lokale dhe atij për zgjedhje lokale sepse viti 2021 është vit zgjedhor në nivel lokal.
IndeksOnline ka siguruar edhe shkresën që Asociacioni i komunave i ka dërguar Kryeministrit Albin Kurti ku mes të tjerash kërkojnë të dinë më shumë për arsyet e nisjes së këtyre ndryshimeve pa konsultime paraprake me akterët kryesor të qeverisjes lokale në Kosovë, Kryetarët e komunave.


Madje ky asociacion e konsideron si të ngutshme ndryshimet e këtyre akteve me shumë rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal.