75 Mall Live Search
13:29 / E Premte, 07 Maj 2021 / Blerim

Dragusha flet për dyshimet e UEFA-s rreth kurdisjeve: Le të gjenden sa më parë këto klube!

Trajneri i njohur kosovar, Muhamet Dragusha ka folur rreth dyshimeve për kurdisje javët e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.

Burimet e Indeksonline mbrëmë bënë të ditur që shtëpia më e madhe e futbollit në Europë, UEFA ka dërguar një letër në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e njoftuar se po heton tri skuadra të Superligës për kurdisje.

Gjatë një interviste për IndeksOnline, trajneri kosovar tha se duhet të gjenden sa më shpejtë këto klube që po bëjnë trukime e kalkulime.

“Unë dhe gjithë dashamirët e futbollit të Kosovës, besoj ndjejnë keqardhje, vetëm ai që s’ka dëshirë ta shoh futbollin lartë e në nivele të larta. Dyshimet janë dhe shpresoj të gjendet sa më shpejtë dhe të dënohen skuadrat që kalkulojnë dhe të gjithë tjerët ta kuptojnë pastaj, se kjo nuk i bën mirë futbollit, e as vetës duke trukuar e kalkuluar. UEFA është instanca që duhet dhe është nën-vëzhgimin e futbollit tonë dhe në përgjithësi dhe uroj që të gjej bashkëpunëtor dhe dëshmitarë që sa ma shpejtë të gjenden fajtorët dhe të marrin dënimin e merituar. Kushdo qoftë ai ekip për momentin ka zgjedh problemin me vetën po jo edhe për të ardhmen pasi tani monitorimi është fakt dhe duhet të reflektojmë”, ka thënë Dragusha për IndeksOnline

Sipas UEFA-s, janë tre klube në Superligën e Kosovës që janë duke u hetuar për kurdisje. Kujtojmë që ky dyshim i UEFA-s, nisi nga faktorët kyç, që janë lëvizjet e shpeshta të kuotave në bastoret ndërkombëtare./IndeksOnline/