75 Mall Live Search
20:40 / E Hënë, 10 Maj 2021 / AR

Vdes ish-drejtori i Institutit Albanologjik, Sadri Fetiu

Pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë Sadri Fetiu, ish-drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinë.

Lajmin e bënë të ditur familjarët e tij përmes një postimi në Facebook, shkruan Indeksonline.

Varrimi i tij do të bëhet nesër në ora 13:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

“Te nderuar familjare, miq dhe shoke, ju njoftojme qe pas nje semundje te rende sot nderroi jete me i dashuri yne Prof. dr. Sadri Fetiu. Varrimi behet neser me 11.05.2021 ne ora 13:00h ne varrezat e qytetit ne Prishtine. Te pame nuk do te kete per shkak te situates se pandemise dhe rekomandimeve te IKSHP-se. Ngushellimet e juaja i pranojme me ane te telefonatave dhe sms. Me respekt Familja Fetiu!”.

Sadri Fetiu lindi në fshatin Peçan të Suharekës më 7.2.1942. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Therandë, gjimnazin në Prizren dhe Fakultetin Filozofik – Grupin e Albanologjisë – në Prishtinë, më 1965.

Gjatë kohës sa ishte në studime (1961–1964) ka punuar gazetar për çështje të kulturës dhe të arsimit në Radio-Prishtinë. 

Më 1977 u angazhua në fushën e studimeve të letërsisë popullore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në studimin e baladës popullore shqiptare. 

Është zgjedhur në mënyrë të rregullt në të gjithë titujt shkencorë, në Degën e Folklorit të Insititutit Albanologjik. 

Duke filluar nga viti 1991 ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit e më vonë për dy mandate radhazi është zgjedhur drejtor i Insitutit Albanologjik të Prishtinës, duke kryer këtë detyrë për 16 vjet (1991–2007)./Indeksonline/