75 Mall Live Search
10:52 / E Mërkurë, 19 Maj 2021 / k.v

U kap me rreth 50 kg mariuhanë/ Policia e Kosovës ekstradon bosin e drogës në Shqipëri (Foto)

Policia e Kosovës, me njësitet e saj kufitare, me datë 19 qershor 2019, gjatë kontrollimit rutinor në hyrje të pikës kufitare ‘Qafa e Morinës’, kishte hasur në një person të dyshuar mashkull/shqiptar shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë duke e drejtuar një veturë të tipit ‘Opel Vectra’ me targa të Shqipërisë.

Policia Kufitare sipas procedurave të punës, gjatë regjistrimit të personit në fjalë në sistemin verifikimit të personave, ka vënë re disa lëvizje të dyshimta të tij, me ç’rast i njëjti është futur në vijën e dytë të kontrollit, dhe gjatë kontrollimit në bagazhin e të njëjtit janë gjetur shtatë thasë me narkotikë të dyshuar të llojit marihuanë.

Pas gjetjes së kësaj substance të llojit të lartcekur, automjeti i të dyshuarit i është nënshtruar një kontrolli të detajuar, kontroll në të cilën kanë asistuar Policia Shqiptare dhe Dogana e Kosovës dhe e shtetit Shqiptar.

Sasia e konfiskuar e substancës narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, pas matjes nga njësia e Antidrogës, ka rezultuar se pesha e përgjithshme e narkotikëve është 48.650 kg. Në vendngjarje përveç njësive relevante të Policisë së Kosovës si ajo ‘Antidrogë’ dhe njësia ‘K9’ ka dalë edhe prokurori kujdestar me vendim të të cilit, personi i dyshuari ishte dërguar në mbajtje.

Dy vjet pas këtij arrestimi, IndeksOnline nga burimet brenda policisë ka mësuar se në bazë të urdhëresës së gjykatës nga autoritetet e Shqipërisë tek Policia e Kosovës është bërë ekstradimi i të dyshuarit në fjalë.

Ai u është dorëzuar autoriteteve në Shqipëri pasi që ishte në kërkim nga ana e tyre./IndeksOnline/