75 Mall Live Search
18:03 / E Mërkurë, 19 Maj 2021 / AR

“Falënderoj Zotin që babës tem i qëlloj arma, atë zotnin e ka pagu…”, rrëfimi i djalit të të dyshuarit për vrasjen në Pejë

Dje ka ndodhur një vrasje në rrugën “Gjin Gazulli” në Pejë. Xhevdet Januzaj dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, Gëzim Kastrati.

Një familjar i viktimës për Indeksonline ka thënë se i dyshuari, Januzaj është mësimdhënës në shkollën fillore “Dardania” i cili më 27 dhjetor 2019 ka tentuar ta dhunoj nxënësen, vajzën e viktimës, Gëzim Kastrati.

Por të gjitha këto i ka mohuar djali i të dyshuarit, Gëzim Januzaj. Ai për Indeksonline tha se i tërë rasti është i inskenuar dhe ka shumë propagandë.

Ai rrëfeu se pasi është raportuar rasti për sulm seksual ndaj vajzës së Gëzim Kastratit, asaj i është bërë ekspertiza dhe rezultati ishte negativ.

“Unë jetoj në Prizren, unë kom pas kontakt vazhdimisht se vet jam interesu edhe kom ba kërkesë që nifar avokati Muharrem Hoti me mbrojt babën tem kur është lajmëru rasti se këta e kanë sulmu në vendngjarje në vend të punës. Po foli për rastin e parë. Unë e kom pagu avokatin me mbrojt edhe ky kur u dënu, dmth kanë ba shkelje prej ditës së parë. Ti nuk ki drejtë edhe me sulmu edhe me lajmëru jo ma ka dhunu. Ti duhesh me lajmëru mas pari rastin tani me sulmu. Jo masi që ta sulmon me ba kësi sene. Masi që është kry e kanë ba ekspertizen ka dal negative, krejt ekspertizat i kanë ba, me të gojës me teshat, me krejt senet kanë dal negative, kamerat i kanë kqyr, kurrëfarë fakte ska që ai e shtin në sallë të arsimtarëve e ku kanë thanë”.

Sipas tij, Gëzim Kastrati me të kuptuar se rasti do të rigjykohet, ai ka bërë çmos që ta vrasë Xhevdet Januzajn.

“Rasti është në rigjykim, e kom ndërru avokatin e kom marr Esat Gutën në Prizren se Muharrem Hoti më ka thanë ju keni me fitu në Prishtinë se ka pas shumë shkelje në gjykatën e Pejës edhe për këtë arsye që sot ky zotnia që ka vdek, kur e ka zbulu që rasti është ka do me rigjyku edhe po do me dalë e vërteta në shesh, ai ka kqyr gjithqysh me vra babën vetëm mos me dal puna”.

Januzaj hodhi akuza mbi Syzana Matoshin, ish-drejtoreshën e shkollës së mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë. Sipas tij, Syzana Matoshi ishte gruaja e babait të tij me të cilën kishte jetuar 4 vite. E njëjta, sipas tij, e kishte punësuar Xhevdet Januzajn në shkollën fillore “Dardania”.

Djali i të dyshuarit, Gëzim Januzaj, u shpreh se viktima Gëzim Kastrati ishte i paguar nga Syzana Matoshi për të mos e lënë rehat babain e tij, të dyshuarin Xhevdet Januzaj.

“Ky zotnia është i pagum prej Syzana Matoshit, ish-drejtoreshës së shkollës së mesme teknike se baba jem ka jetu 4 vite me Syzana Matoshin. I martum ka qenë, Syzana Matoshi e ka punësu në shkollën Dardania por për arsye që baba jem është nda, fatkqësisht  nuk i ka shku jeta mirë me ta, dhe ajo vet ka thënë që nuk kam me lan rehat, unë e di vet, dhe për arsyë që u martu me tjetrën e ka jetu në Pejë, ky është rast i inskenum me shumë propaganda. Mu përderisa vet ai zotnia, avokati Muharrem Hoti më ka thënë që ka shkelje të mëdha, keni me fitu në Prishtinë, kur e ka marr vesh pala që kemi me fitu, avokati i vet nuk ka ardh më në gjykime”.

“Mu më ka vdek nëna para 10 viteve nga kanceri, baba u njoftu tani me Syzana Matoshin, e hangtë dreqi atë flaka i hiftë, ajo u kanë drejtoresh e shkollës së mesme. 2013-2014 ka ndodh rasti, e rasti me prindin ka ndodh në 2019, atëherë kur u martu me nja tjetër në Pejë”.

Gëzim Januzaj tutje tha se nuk ndjen keqardhje për familjen Kastrati. Përkundrazi e falënderon Zotin që babait të tij i ka qëllu arma.

“Nuk kam keqardhje për familjen Kastrati pasi që ai i pari ka tentu të ma vras babën, dy herë e raportir armën, përkundrazi e falënderoj Zotin që i ka qëllu arma babës tem”.

“Nuk ndjej keqardhje përderisa ai zotnia i ka shku në tavolinë babës tem edhe ja ka raportir dy herë armën edhe ka tentu me shkrep po Zoti i madh ja ka blloku armën atij edhe falmëinderit prej Zotit që baba jem ka pas armë se ti kish shku baba jem atij pa i ba kurgja zotnia isha ni shumë keq. Zoti e ka rujt ata se i kanë hyp përmi qaf”.

Kujtojmë që Xhevdet Januzaj, arsimtari i vajzës së tashmë viktimës, ishte dënuar për ngacmim seksual nga Gjykata Themelore e Pejës.

Sipas gjykatës, ai e kishte ftuar të miturën në kabinetin e shkollës për të nxjerr mungesat dhe statistikat e suksesit, por që më pas i ishte afruar te banka dhe pa pëlqimin e saj e kishte ngacmuar. Ajo e kishte shtyrë arsimtarin dhe me vrap kishte dal nga kabineti dhe kishte shkuar në shtëpi e i kishte lajmëruar familjarët.

Për këtë vepër, Gjykata Themelore e Pejës, e kishte dënuar arsimtarin me tre vite e gjashtë muaj burgim. Vendimi ishte marrë në prill të këtij viti.

Përveç dënimit me burgim, Xhevdet Januzajt i është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit për pesë vjet.

Policia e Kosovës sot ka njoftuar se i dyshuari për vrasje është akoma në arrati./Indeksonline/

Gëzim Kastrati, viktima
Xhevdet Januzaj, i dyshuari