Kurti i dërgon ftesë për takim liderët e partive opozitare, do të konsultohet për çështje të interesit nacional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e ardhshme do të pres në takim 3 liderët e partive opozitare.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate, transmeton Indeksonline.
Komunikata e plotë nga Zyra e Kryeministrit:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot u ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend: z. Enver Hoxhaj (PDK), z. Lumir Abdixhiku (LDK), dhe z. Ramush Haradinaj (AAK).
Takimet planifikohet të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.