75 Mall Live Search
22:41 / E Martë, 25 Maj 2021 / AR

Si lagjja juaj mund të tërheqë psikopatët!

Kur zhvendosemi në një lagje të re, kemi parasysh më shumë sesa hapësirën që do të quajmë shtëpi.

Ne hulumtojmë zonën e banuar, duke parë gjithçka, nga shkollat te supermarketet. Shqyrtojmë si pronën ashtu edhe popullatën. Por ajo që nuk do të shihni përmes hulumtimit tuaj, qoftë drejtpërdrejt apo në internet, janë personalitetet e errëta që jetojnë në zonën tuaj ose në të njëjtin kat të ndërtesës suaj të banesës. Sipas hulumtimit, disa faktorë e bëjnë më të mundshme që njerëzit me personalitet të errët të zgjedhin të jetojnë në një zonë të caktuar.

Natyra 

Nëse janë me fat të zgjedhin, njerëzit zgjedhin të jetojnë në zona ku ndihen më rehat. Disa duan hapësirën e hapur të periferisë dhe të tjerët duan jetën e qytetit. Dhe ndërsa për shumicën e njerëzve, zgjedhja drejtohet nga prirjet pro-sociale, personalitetet e errëta mendojnë ndryshe.

Një studim i 2020-ës shqyrtoi lidhjen midis natyrës dhe personalitetit të errët. Këtu, me personalitet të errët kuptojmë triadën e errët: psikopatia – që përfshin një mosrespektim të pashpirt të njerëzve të tjerë, narcizmi – zakonisht shfaqet në përqendrimin tek vetja dhe makiavelizëm – që përfshin një personalitet të karakterizuar nga tipare të tilla si cinizmi dhe manipulimi. Këto tipare përfaqësojnë një përzierje të personaliteteve neveritëse, antagoniste që mund të përkthehen në sjellje armiqësore, agresive ose të papranueshme.

Studimi vuri re se ‘lidhja me natyrën’, një konstrukt psikologjik që përfaqëson shkallën e marrëdhënies së një personi me botën natyrore, është e lidhur me përmirësimin e mirëqenies mendore. Ajo shoqërohet gjithashtu me tipare të personalitetit të tilla si pëlqyeshmëria, ndjeshmëria njohëse dhe afektive, dhe tiparet në anën e kundërt të spektrit, duke përfshirë shkathtësinë. 

Pra, të qenit i lidhur me natyrën  – rezulton në “sjellje pro-sociale” dhe një aftësi të shtuar për ndjeshmëri, pëlqyeshmëri dhe perspektivë, domethënë jo në diçka që lidhet domosdoshmërisht me “triadën e errët”.

‘Errësira’ në qytet

Studimi gjeti se preferencat e forta për të jetuar në qytet, në vend të periferive ose zonave rurale, ishin veçanërisht të theksuara për tiparet e lidhura me psikopatinë. Kjo preferencë u shpjegua duke vërejtur se jetesa në qytet mund të shihet si më tërheqëse për njerëzit që dëshirojnë të jetojnë “mënyra të shpejta jetese, shfrytëzuese dhe parazitare”. Ndër të tjera, u vu re se “zonat me dendësi më të madhe të popullsisë mund të lehtësojnë sjelljen e njerëzve me tipare psikopatike që dëshirojnë të zhvatin ose manipulojnë të tjerët me më pak mundësi të ekspozimit ose kapjes”.

Nga raportimet, u “mat” se natyra është e lidhur negativisht me tipare psikopatike, makiaveliane dhe sadiste, por jo me tipare të një personaliteti narcist. Ndërsa, njerëzit që preferonin të jetonin brenda qytetit dhe jo në periferi, arritën rezultate më të larta në tiparet narciste. Kjo, ndoshta sepse jetesa në zona të populluara ofron mundësi më të mëdha për vlerësim të jashtëm.

Padyshim, preferenca e banimit varet nga faktorë të ndryshëm dhe përfshin një gamë të gjerë konsideratash të personalitetit, por ndër ato konsiderata bëjnë pjesë dhe çfarë u përmend më lart.

Burimi: Psychology Today