Bajrami kërkon që mësimi në shkolla me orar të plotë të fillojë nga e hëna

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të marrë vendim që mësimi të zhvillohet në objekte shkollore dhe në orar të plotë, duke filluar nga dita e hënë.
Ajo tha se pas rënies së numrit të rasteve me Covid-19, mësimi duhet të vazhdojë normalisht.
“MASHT-i të marrë vendim që mësimi të zhvillohet në objekte shkollore dhe në orar të plotë pasi rezultatet e mësimdhënësies janë në varshmëri të plotë me kohën që nxënësit e kalojnë me mësimdhënësit e tyre. MASHTI-i duhet të hartojë strategji edhe me organizim e shkollave verore në mënyrë që të kompensojnë humbjet.
Organizimi i mësimit online edhe pse në kohë rekorde nuk mund të themi se ka kompensuar në tërësi mësimin në shkollë. Pandemia shkakton humbje të mësimit, të mësimxënësies dhe kjo situatë përcillen me efekte afatgjata negative. Është përgjegjësi e qeverisë që të hartojë strategji dhe programe për mësimin e humbur dhe zvogëlimin e pasojave që ka shkaktuar COVID-19. MASHT-i, drejtoritë e arsimit nëpër komuna, nxënësit, prindërit, në atë kohë, ishin të papërgatitur për këtë tranzicion dhe u detyruam që të ndërtonim një sistem emergjent të mësimit në distancë”, është shprehur Bajrami./Indeksonline/