75 Mall Live Search
11:02 / E Shtunë, 26 Qershor 2021 / A. M.

Sivjet, më shtrenjtë të ndërtosh

Çmimi i lëndëve të para për ndërtim është rritur. Prandaj, në vitin 2021, ndërtimi kushton më shtrenjtë. Më shtrenjtë se vjet. Dhe, më shtrenjtë se parvjet. Veçanërisht pjesa e ndërtimit të vrazhdë. Megjithatë, sivjet po ndërtohet më shumë se tre-katër vitet e fundit.

Numri i lejeve që merren për ndërtim në Shqipëri është rritur ndjeshëm përgjatë vitit 2021. Bazuar në shifrat e INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar plot 251 leje, për ndërtime të reja, krahasuar me 184 të tilla, sa ishin miratuar në tre muajt e parë të vitit të shkuar.

Rrjedhimisht, ka rritje prej 36,4% të autorizimeve të dhëna për fillimin e punës mbi projektet e ndërtimit dhe rritje prej 98,9% të vlerës së këtyre ndërtimeve.

Pra, në raport me vitin e shkuar, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit ka shënuar rritje me 79.7%. Edhe krahasuar me vitin 2019 dhe po ashtu me vitin 2018, ka një rritje prej rreth 14% të numrit të lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja.

Në Shqipëri po ndërtohet më shumë se kurrë. Dhe, për inxhinieren Luljeta Bozo, që këtë sektor e quan “më të rëndësishmin në prodhimtari”, ky trend i ndërtimeve është në përputhje me shtysën për rimëkëmbje post-pandemike.

“Viti i kaluar ishte vit diabolik edhe për ndërtimin, veçanërisht për ndërtimin në zona urbane. Pra, pandemia ndikoi në numrin e lejeve të ndërtimit”, thotë ajo.

Prandaj, sipas inxhinieres Bozo, rritja e numrit të ndërtimeve sivjet, është në njëfarë mënyre “kompensim për ndërtimet që nuk arritën të bëheshin vitin e shkuar”.

Çka ndodhi me çmimet?

Përveç numrit të lejve të ndërtimit, është rritur edhe kosto e ndërtimit. Çmimi i tullave për ndërtim ka shënuar rritje prej 121%. Nga 28 lekë sa kushtonte tulla-bllok për ndërtim në janar të 2020-ës, tani një e tillë kushton 62 lekë.

Për Albanian Post, këtë e kanë konfirmuar përfaqësues të disa fabrikave të tullave në rrethinën e Tiranës. Ekonomisti i një prej tyre, në zonën e Fushë-Krujës, ka sqaruar se edhe ata e kanë rritur ndjeshëm çmimin e tullave-bllok për ndërtim. Por, ai vendimin e arsyeton me rritjen “në maksimum” të çmimit të lëndës së parë, e nevojshme për prodhimin e tyre.

“Lënda e parë, e cila është e listuar në bursë, është rritur dyfish në çmim, krahasuar me para pandemisë”, thotë ai.

Për më tepër, ai nënvizon se “rritja e çmimit të tullave nuk ka lidhje me rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit”.

Mirëpo, ndryshe mendon ekonomisti Vjoldi Danaj, i cili përveç rritjes së çmimit të tullës-bllok, vë theksin edhe tek rritja e çmimit të hekurit për ndërtim – që sipas tij “është shtrenjtuar me 2.5 herë, krahasuar me periudhën para pandemisë”.

Ai argumenton se këto rritje të çmimeve kanë efekte zinxhirore, që në shkallë të fundit shkaktojnë rritjen e çmimit të banesave. “Kyesisht në Tiranë, kemi pasur rritje të taksave nga ana e bashkisë edhe në lejet e ndërtimit, që pastaj nënkupton rritjen e çmimit të tullave dhe me siguri rritjen e çmimit të banesave”, deklaron ai.

Në një mënyrë, edhe inxhinierja Bozo vlerëson se me shtimin e numrit të ndërtimeve, për pasojë është rritur edhe çmimi i lëndëve të para për ndërtim, në parimin e thjeshtë të ofertës dhe kërkesës.

“Kur ka kërkesë të madhe, gjithmonë rriten çmimet. Një arsye për rritjen e çmimit të tullave është se, ngaqë janë dhënë shumë leje, kanë nevojë për shumë lëndë të parë. Është faktori ofertë-kërkesë”, thotë Bozo.

Mirëpo, ekonomisti Danaj thotë se faktor kyç në këto lëvizje “është pandemia që e ka rritur çmimin e hekurit dhe të lëndëve të para”. Ndërkaq, për sa i përket çmimit të banesave, ai vlerëson se rritja është rrjedhojë e “mokontrollit total të shtetit në këtë sektor”.

Sipas tij, pjesa më e madhe e të ardhurave të këtij sektori janë kryesisht nga tregu i zi. Pra, nga rrugët joligjore. Ndaj, vijon Danaj, nuk mund të presim diçka ndryshe, derisa të ketë kontroll total të këtij sektori.

“Amnistia fiskale mund ta stabilizojë çmimin, që është krejt i shkëputur nga realiteti ekonomik i vendit”, shton ai.

Me gjithë krejt këto kritika për mospërdorimin e instrumentave nga shteti, Danaj është i bindur se shteti, përkatësisht zgjedhjet në nivel qendror të 25 prillit nuk kanë qenë ndonjë shtysë dhe “nuk kanë pasur impakt në këtë sektor”, ndryshe nga vlerësimet e përgjithshme, sepse sipas tij “është sektor që ka ardhur gjithmonë në rritje”.

Këtë e thotë edhe inxhinierja Bozo, e cila edhe vetë ka qenë pjesë e garës dhe ka fituar një mandat në Kuvendin e Shqipërisë. “Nuk e besoj që ka lidhje me fushatën. Janë institucione të cilat punojnë mbi bazën e një plani që duhet ta realizojnë”, thekson ajo.

Përtej të gjitha përcaktimeve dhe vlerësimeve, një gjë është e qartë: këtë vit kushton më shtrenjtë të ndërtosh dhe të rindërtosh.