75 Mall Live Search
10:54 / E Mërkurë, 30 Qershor 2021 / OSH

Policia në Shqipëri me aksion për lirimin e plazheve

Policia në Shqipëri ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike në plazhe. Të organizuar në dy grupe pune, aksioni ka nisur nga Ura e Dajlanit dhe te Përroi i Agait, pranë Shkëmbit të Kavajës. Deri tani janë verifikuar 3 subjekte që shfrytëzonin pa leje brezin ranor në Durrës.

Këtyre subjekteve po u sekuestrohen çadrat e shtretërit në plazhe, raporton TCH.

Aksioni policor për lirimin e hapësirave publike në plazhet e Durrësit vjen një ditë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë konferencës së djeshme, Rama tha do të ketë forca policie që do të konfiskojnë çdo objekt nëse bizneset nuk i kanë dokumentacionet në rregull.

“Një gjë është e padiskutueshme ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose pahir. Dua t’i bëj thirrje të gjithë atyre që s’janë në rregull më dokumentacionin meqë kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që s’u takojnë me ligj e me rregull policia do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, shezllon apo çdo strukturë tjetër. Subjektet private duhet të jenë të përfshira në garantimin e sezonit turistik” ka thënë Rama.

Edhe në plazhin e Velipojës, policia e Shkodrës së bashku me përfaqësues të pushtetit vendor, dolën sot për verifikimin e lejeve për hapësirën e shezllongëve.