Avionët luftarakë rusë praktikojnë bombardimin e anijeve armike në Detin e Zi

Avionët luftarakë rusë praktikuan bombardimin e anijeve armike në Detin e Zi gjatë një seance stërvitore, tha Rusia të shtunën, mes polemikave me Perëndimin mbi stërvitjet e NATO-s në rajon dhe pas një incidenti të fundit me një anije luftarake britanike.
Moska javën e kaluar sfidoi të drejtën e anijes luftarake britanike për të kaluar përmes ujërave pranë Krimesë, diçka që Londra tha se kishte të drejtë të bënte. Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 por shumica e botës ende e njeh atë si pjesë të Ukrainës.
Rusia tha se anija kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Londrën për një “provokim”. Moska ka thënë se mund të bombardojë anijet detare britanike nëse ka më shumë veprime të tilla nga marina britanike pranë Krimesë.
Të shtunën, Flota e Detit të Zi rus tha se aeroplanët luftarakë nga njësitë e saj të aviacionit dhe ato të rrethit ushtarak jugor kishin marrë pjesë në seancën stërvitore, përcjell Klankosova.tv.
“Ekipet e avionëve … kryen fluturime stërvitore mbi Detin e Zi, duke praktikuar sulmet me raketa dhe bombardime kundër anijeve të simuluara të armikut,” u citua të thoshte nga agjencia e lajmeve RIA.
Stërvitjet përfshinin avionë luftarak si “Sukhoi Su-30SM”, bombardues “Sukhoi Su-24M”, bombardues luftarakë “Sukhoi Su-34” dhe “Sukhoi Su-27”, thuhet në raport.
Ushtrimi vjen ndërsa NATO, Ukraina dhe aleatët kryejnë stërvitjet e tyre në shkallë të gjerë në rajon.
Këto stërvitje do të zgjasin dy javë dhe përfshijnë rreth 5 mijë personel ushtarak nga NATO dhe aleatët e tjerë, dhe rreth 30 anije dhe 40 aeroplanë, me shkatërruesin amerikan të raketave “USS Ross” dhe trupat e Marinës së SHBA-së, raporton Reutres.
Moska kishte bërë thirrje që ushtrimi të anulohej dhe ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se do të reagojë për të mbrojtur sigurinë kombëtare nëse është e nevojshme.