75 Mall Live Search
08:08 / E Mërkurë, 07 Korrik 2021 / OSH

Argjentinë – Brazil, finalja e Copa America

Argjentina ka kaluar në finale të Copa Amerika pasi ka mposhtur Kolumbinë pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja e rregullt përfundoi 1-1.

“Albicelestët” vuajtën më shumë kundër një Kolumbie, që preferoi të tregonte muskuj me 27 faulla dhe 6 kartonë të verdhë. Gjithsesi, shpëtimtari ishte portieri Emiliano Martínez, gjithashtu edhe i Aston Villa, një figurë e vonë në futbollin argjentinas, i cili priti tri penallti.

Skuadra argjentinase kishte kaluar në epërsi, pas një goli të hershëm nga Lautaro Martínez (7’), pas një kombinimi të bukur midis Giovani Lo Celso, Messi dhe sulmuesit të Interit. Por, siç është bërë zakon në këtë garë te “Albicelestet”, ata u përgjumën.

Kolumbia u përpoq të sulmonte me dy lojtarët e saj më të mirë: Juan Guillermo Cuadrado dhe Luis Díaz. Vrulli tyre ishte më i madh në pjesën e dytë. Zona argjentinase filloi të merrte goditje të njëpasnjëshme, deri sa Díaz (61’) të shënonte.

Barazimi 1-1 i shërbeu Kolumbisë për të shqetësuar një Argjentinë, që e kishte të vështirë të dilte në kundërsulm. Messi, i dëmtuar dy herë, luajti me gjak në kyçin e këmbës. Në një nga ato imazhe të eposit sportiv, numri 10 i Argjentinës insistoi ta kërkonin golin. Provoi driblimet, pasimet dhe gjuajtjet e lira. Por asgjë nuk funksionoi.

Te penalltitë, Kolumbia nuk mundi të përsëriste Uruguajin edhe ndaj Argjentinës. Ata takuan një Emiliano Martínez të zemëruar dhe të mërzitur në portë, i cili iu përkushtua vetes për të destabilizuar çdo gjuajtës kolumbian.

Dhe kjo funksionoi për të. Ai ndaloi gjuajtjet e Davinson Sánchez, Yerry Mina dhe Cardona. “Albiceleste” humbën vetëm me Rodrigo de Paul dhe përfundimi 3-2 me penallti, pas ndeshjes 1-1. Skuadra e Messit, më 11 korrik do të përballet me Brazilin në barin e stadiumit “Maracana”.