PDK këtë muaj zgjedhë nënkryetarët dhe kryesinë e re

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të shtunën ka mbajtur konventën e 10-të nga e cila kryetar u zgjodh Memli Krasniqi. Por kryesia e re, nënkryetarët dhe udhëheqësit e departamenteve ende nuk janë zgjedhur.
Sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka deklaruar për IndeksOnline se muaji korrik, sipas dinamikës që ka prezantuar kryetari do ta gjejë PDK-në me kryesi të re.
“Ne të shtunën kemi mbajtur një konventë e cila i ka dhënë mbështetje vizionit të kryetarit të ri. Kryetari në platformën e tij ka prezantuar edhe vizionin për kryesinë e re e cila do të zgjidhet gjatë këtij muaji”, ka thënë Gjoshi.
Kryetari i ri i PDK ka paralajmëruar se në Kryesinë e re të PDK nuk do të jenë të përfshirë deputetët pasi ai ka thënë se deputetët do të jenë të fokusuar vetëm në Kuvend.
Pas zgjedhjes së Kryetarit, PDK kishte miratuar edhe një Deklaratë Politike e cila përmbante 23 pika.
Përmes kësaj Deklarate, PDK ka shprehur krenarinë për origjinën e saj politike që buron nga kauza për çlirimin e vendit dhe lufta e drejtë dhe e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“PDK-ja me lidershipin e ri, do të reformohet për të avancuar agjendën politike në drejtim të ballafaqimit me pushtetin e papërgjegjshëm dhe keqqeverisjen aktuale. Ajo synon të nxisë mobilizimin politik ku së bashku me qytetarët, të kufizojë qeverisjen e dëmshme dhe ta rikthejë qeverisjen e zhvillimit, emancipimit, dinjitetit dhe integrimit”, thuhet në deklaratën politik të PDK-së.
Rikujtojmë se kryesia e fundit e PDK-së prej 25 anëtarëve ishte emëruar me 22 janar 2020. Atëkohë sekretarë i përgjithshëm ishte zgjedhur Uran Ismaili, ndërsa nënkryetarë Agim Aliu, Shaqir Totaj dhe Donjet Bislimi, sipas funksionit që ka, kryetar i rinisë demokratike.
Në fillim të vitit të kaluar ishin zgjedhur edhe disa udhëheqës të departamenteve të ndryshme në PDK./IndeksOnline/