Personi i dytë i vdekur në Deçan i kishte të vendosur tre “bypass”

Afër 900 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan. Dyshimet e para janë se mund të jenë helmuar nga uji i pijes.
Poashtu gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Deçanit kanë ndodhur dy raste të vdekjes të cilat janë cilësuar si “vdekje të dyshimta”.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai tha se për shkak të situatës së krijuar, nën dyshimet me helmim nga uji i pijshëm, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka bërë me dije Nikçi.
Në anën tjetër, “Indeksonline”, mëson se personi i dytë i vdekur nga komuna e Deçanit i ka pasur të vendosur tre bypass apo (CABG).
Bypassi është një procedurë kirurgjikale, e cila kryhet me qëllim eliminimin e anginës dhe uljen e rrezikut të vdekjes nga sëmundjet koronare. Gjatë kësaj procedurë, arterie të ndryshme apo edhe venat e pacientëve të marra nga pjesë të ndryshme përdoren për të mbikaluar ngushtimet koronare.