28 të vdekur dhe 40 të lënduar pasi një autobus u aksidentua në Pakistan

Të paktën 28 persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në Pakistan, ku autobusi i cili kishte punëtorë që ishin duke u nisur për në shtëpi për ta festuar Kurban Bajramin, u fut nën një kamion i cili ishte për mbledhjen e mbeturinave.
Policia dhe ekipet e shpëtimit atje deklaruan se pos të vdekurve të lënduar janë edhe 40 persona, shkruan AP.
Autobusi ishte nisur nga qyteti Sialkot dhe po udhëtonte për në qytetin Dera Ghazi Khan, më saktësisht në provincën lindore Punjab, tha oficeri i lartë i policisë, Hassan Javed.
Shkaku i aksidentit është ende nën hetim, tha ai. Aksidentet vdekjeprurëse janë të zakonshme në Pakistan për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore dhe mosrespektimit të ligjeve të trafikut.
Sipas Sher Khan, i cili ishte në krye të ekipit të shpëtimit, disa nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.