Presidentja Osmani për aksidentin në Kroaci: Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me aksidentin e autobusit kosovar në Kroaci, ku humbën jetën 10 kosovarë dhe mbi 30 janë lënduar.
Në postimin e bërë, Osmani ka ngushëlluar familjet e personave që humbën jetën në aksident, transmeton Indeksonline.
Presidentja tha se dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe.
Postimi i plotë:
Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë kosovarë e shumë të tjerë janë lënduar.
Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe.
Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të qytetarëve tanë që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.
Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik.